Refleksion mbi poetikën e autorit Nokë Sinishtaj (Shënime për poezitë) – nga Zija Vukaj

0
215

Sado në dijeni të jetë njeriu me llojet, rrymat, zhanret letrare; sado të ketë eksploruar profilet e poetëve të vjetër e të rinj, por edhe prirjet e zhvillimit të artit poetik në kohën e sotme, poeti Nokë Sinishta mbetet një zë i veçantë. Dhe origjinaliteti i këtij autori ka pse- të e veta, që kërkojnë një lexim të përqendruar jo vetëm të poezive, por edhe të jetës dhe formimit të tij. Në kompleksitetin e formimit, krahas edukimit shkollor dhe kulturës, një vend të rëndësishëm zë origjina e tij, malësia, fshati i vogël Kshevë, i krahinës zulmëmadhe të Hotit e Grudës. Dhe teksa zhytesh në vargjet e këtij autori, që përcjellin ngjyrat, aromat dhe regëtimat më të ndërlikuara të natyrës dhe të shpirtit njerëzor, në sfond të rri pamja e poetit, që ngjan, herë si një gur mali, krejt i paprekur nga asnjë dorë e qytetërimit, herë si një copë nga mermeri i Lunit, me të cilin skulptorët gjenialë të Rinascimentos gdhendën ato mrekulli që ne i njohim dhe i trashëgojmë sot dhe herë si një artist i rafinuar, i stërvitur e virtuoz. Para njësive poetike të këtij autori duket sikur zbehen dy thënie, që gati janë bërë postulate të teoricienëve të strukturalizmit: 1). “Jeta e autorit nuk është çelësi për të kuptuar veprën” dhe 2). “Çdo tekst, sado i ri dhe origjinal qoftë, nuk është gjë tjetër, veçse riorganizim i teksteve të mëparshme”. Citova këto thënie të studiuesit të shquar R. Barthes, jo për të vënë në dyshim vërtetësinë dhe mençurinë që transmetojnë, por për të theksuar, nga njëra anë rolin e mjedisit, të origjinës, të arketipeve të vendlindjes, të stampuara në botën e hollë ndijore të Sinishtajt dhe të epifanizuara në çaste magjike, transmetuar nga vargjet, strofat dhe sintagmat poetike. Nga ana tjetër, në kompozimin e teksteve poetike, autori, si të gjithë paraardhësit dhe bashkëkohësit e tij, ka riorganizuar vetëm mjetin shprehës, fjalën, si çdo piktor që procedon mbi katër ngjyrat bazë apo si muzikanti mbi shtatë nota dhe vetëm kaq. Pjesa tjetër është ADN, është origjinalitet, është timbrika individuale e zërit poetik që nuk interferon me asnjë tjetër. Opusi letrar i këtij poeti ngacmon çdo lexues, studiues, estet apo kritik për të bërë vëzhgime të thella e të shumanshme nga pika të pafundme shikimesh, duke filluar me motivet dhe tematikat, me kredon estetike e filozofike, me teknikat e shprehjes, me arketipet artistike etj. Duke parë pjesë nga fondi i gjerë poetik dhe pa mëtuar në vështrime shteruese, interesant paraqitet motivi i vdekjes. Dhe kjo është thuajse e pashmangshme për një poet lirik me një substrat kulturor ekzistencialist, më shumë laik se sa fetar. Në mjaft poezi shfaqet fatalisht përkohësia e njeriut, ikja e frikshme e kohës: “Çdo ditë e më tepër/ të mjegullohet panorama/ e të ngushtohet kalimi. Deka e madhe të fton/ me u vëllamërue/ gjersa shpirti kaprroç/ rebelohet…/ Bie gongu i jetës/ asht koha! Lëshojua vendin të tjerëve.” (“Bie gongu i jetës”). Këtu na vjen ndër mend postulati i Bodlerit: “Tout est néant, exepté la Mort.” Por si në mjaft percepsione të mëparshme të individit mbi vdekjen, autori e ndërton raportin me vdekjen jo si ikje, por si përballje, nganjëherë edhe në kërkim të pavdekësisë. I veçantë bëhet ky motiv tek vëllimi poetik “Requiem për fshatin tim”. Këtu, më shumë se vdekja, rri pezull hija e vdekjes. Nuk kemi thjesht “vajtimin” për vdekjen e një individi, por të diçkaje më të madhe. Të një fshati, të një bote të tërë. Vdekje e vazhdimësisë së jetës tradicionale të një komuniteti, bashkë me kujtimet e brezave, me kultet, ritualet, idiomat, toponimet dhe të gjitha fosilet e kulturës shpirtërore të ndërtuar nga ekzistenca dhe kontributi i brezave qysh në lashtësi. Vdekja këtu ka ngritur flamurin. Dhe poeti që endet në fshatin e tij fantazmë si një somnambul thërret: “Ksheva ime,/ n’ua fillosha jeremiadave të mia/ me një- De profundis…, besoj se/ kurrën e kurrës nuk do të arrij/ në fund të fundit”. Në mungesë të njerëzve poeti dialogon me vegjetacionin, me klorofilin, me gjallesat, sendet, kujtimet: “E veç ciklaminat më përshëndesin:/ “Kush je ti këtu, o (s)’ i panjohun/ ke ardhë me na prishë qetësin’-a?” E teksa endet në fshatin e boshatisur, shpirti i poetit tallazitet nga valët e pafundme të kujtimeve: “Unë kam në shpirt një polifoni/ ku festat dhe dasmat, drekët dhe fejesat/ janë regj’ në katafalk të kujtimit…/ Vaj medet o Ksheva ime n’Malësi!” Dhe gjëmimi i autorit sublimohet më tej deri në absurd. Duket sikur edhe vdekja ka vdekur: “Ehu! Ka ikur Vdekja nga Ksheva/ e vetëm këtu Deka nuk ka më vdekje.” Poezia e Sinishtajt nuk është thjesht art për art. Ajo merr thuajse vazhdimisht, përveç funksionit të spikatur estetik, edhe një rol tjetër. Atë të angazhimit; pra edhe funksion qëllimor, duke mbetur një vazhdues i denjë i traditës sonë poetike: “E un’ ndoshta jam i vetmi/ që emnin ta shkruej/ me ta ruejt…” Kësisoj, ikursioni poetik i veshur me petkun e përzishëm të requiem-it, bëhet dora- dorës në hapësirat e këtij vëllimi, një enciklopedi etnokulturore, një regjistër poetik i etnogjenezës së popullit tonë në vendkohën e një fshati të vogël, që posedon të gjitha variacionet dhe koloritin e kulturës malësore dhe shqiptare.
Në vëllimin “Nën arkada të universit”, ku mozaiku poetik sërish është vendosur në telajon mbresëlënëse të vendlindjes, krahas shumë bulëzave që kanë frymëzuar e sjellë në jetë poezitë, shfaqet motivi i ikjes nga vendlindja. Jepet artistikisht kjo ikje, si diçka tejet dramatike. Ky element autobiografik (një rrugëdalje e dhimbshme) kthehet në një fiksion artistik tronditës. Edhe më tronditëse se “Kënga e lamtumirës” e Çajld Haroldit dhe se lamtumirat e romantikëve tanë. Në poezinë “Lamtumirë o Ksheva ime”, largimi i personazhit lirik nga vendlindja, është si largimi i një gjallese nga habitati i vet jetik. Një largim total dhe kompleks. Largim nga njerëzit: “E nji patër Vinçens Malaj tue pi duhan,/ qëndronte tutulec”; largim nga kujtimi i njerëzve: “…ku dikur banonte axhë Marka Toma … e kujtova mësuesin tonë Beqir Bajramin… gratë me ujë ngarkueme me buljera… o gjurma të kambëve të të parëve”; largim nga vendet, paraqitur me një denduri toponimike: “kah Radeqi…; nëpër Skorraq te Bratilja e Deçiqit…; te Gurra e Lecit…; ulicës së Nikajve… ngjitemi konturave të Sukës/ fundave të Zhernit/ Pllanicës e Deçiqit/ ndalem te gropa e Kllaçnicës”; largim nga mitologjia: “…sepse aty banojnë Orët e s’guxohet me e pre kmesë”; ikje nga sendet, bimët, gjallesat dhe zhurmat e jetës, realizuar me një hipotipozë të pazakontë, herë të shpirtëzuara e herë të personifikuara për të dhënë spikamat e dhimbjes: “Fryn një erë ndasie e ulen majet e ograjës/ Si gratë me rubë të zezë para vigut,/ jehona nynykat melodinë: Pse po më qitni pas dore?” dhe si tek vajtimi epik i Ajkunës: “Anash fëllanxat e ndalojnë kangën/ s’ka ma këtu dallëndyshe as dejka, borsa as zhapik.” Atmosfera e rëndë e ikjes nga vendlindja, e kthyer tashmë në motiv, ndeshet në mjaft poezi edhe tek vëllimi “Motive malësore”. Në poezinë “Para se me e lëshue Malësinë” kemi: “Terrina e muzgut u ngut/ tue i veshë edhe gurët në zi/ ashtu si vajtoret kur shkojnë në hatër”. Një aspekt interesant, i cili ka të bëjë me kredon filozofiko-estetike dhe pasqyrohet në impulse dhe shpërthime poetike është një lloj apostazie e poetit Nokë Sinishtaj. Duke u endur shtigjeve të këtij poeti dhe duke pasur parasysh edhe formimin e tij teologjik si dhe përvojën e udhëheqësit shpirtëror, vërejmë hera- herës ndonjë lëkundje të vogël, që gradualisht intensifikohet dhe merr përmasat e rebelimit. Ose arti poetik është kthyer në një fe të re dhe ai është bërë një neofit i këtij konversioni? Sepse tek “Furor poeticus” kemi: “O krisht,/ kërbaçi që ti e përdore në tempull/ kundër farisejve, levitëve e saducejve,/ duket se u ka ra në dorë poetëve…” Të jetë kjo një lloj apostazie? Së pari, ka disa vargje poetike që marrin formën e një parashenje: “E di mirë evolucioni/ se s’jam kardinal puritan” Ose: “Shkyeja stofin ekzistencës/ me gërshërë të esencës.” Këtu jemi në zgripin filozofik mes dy degëve të mëdha të ekzistencializmit: atij fetar dhe ekzistencializmit ateist, i cili na proklamohet nëpërmjet thënies: “Ekzistenca i paraprin esencës”, që është edhe romani i Sartrit. Kjo lojë e hollë e këtyre vargjeve poetike, dëshmon së pari stofin e poetit filozof, por edhe dilemat dhe vramendjet e një mendimtari që nuk është zhytur në asnjërën degë të lumit filozofik që i ka ofruar shkollimi dhe përvoja. Madje, sido që të ketë luajtur me thënien e Sartrit, vihet re se nuk e ka përjashtuar nga kredoja e vet, anipse ateiste. Më pas hamendja sendërtohet në realitet në vargjet: “Celibati juej. Ojme… pupilla ecclesiae/ stup sramote (shtylla turpi) ojme… rasad pedofilie/ qypa mishi ju ojme proviani rezervë.” Këtu shpërthimi është më se i dukshëm, një munxëvënie, një mallkim, që siç vihet re, nuk i drejtohet qiellit, por projeksionit të deformuar që tokësorët, të veshur me mision të shenjtë, i bëjnë atij. Në poezinë “Anarki” kemi vargjet: “E djersët e fukarasë shkojnë me ndërtue/ kisha e xhami/ pagoda, sinagoga, teqe e kapelica të reja.” Këtu mund të hiqet një paralele me qëndrimin e Migjenit, i cili në lexime dhe interpretime të ngutura është konsideruar si ateizëm: “Kishat dhe xhamijat mbi shpijat tona përdhecke”- shpërthen Migjeni, i cili del i rebeluar nga një lavazh arsyetimesh radikale për teatrin fetar, me gjithë aktorët dhe rekuizitat e veta dhe lidhjen me Hyjin përpiqet ta ndërtojë vetë. Në mënyrë figurative, më shumë se apostazi, këtu kemi të bëjmë me një lloj protestantizmi modern. Dhe autori Nokë Sinishta është i vetëdijshëm për këtë qëndrim dhe për ngjashmërinë që ka me sivëllain e vet Migjenin: “O i biri i Gjergj Nikollës/ më prit pak se edhe unë/ po vij t’i djas të kalojmë rrathëve të Dantes krah për krah/ Nëpër leta le të lundrojmë/ pash më pash le të gjurmojmë/ në squfur të Hadit le të këndojmë”; ashtu si Migjeni deklaron me dëshirën e tij skandaloze prej Zarathustre: “Mos u lut për mue se due pash më pash t’i bij ferrit.”

Zija Vukaj/Shoqata e Shkrimtarëve Shkodër (fb)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.