Katër poezi nga Brunilda Ternova

0
70

Brunilda Ternova është poete, shkrimtare, gazetare, ndërmjetëse kulturore dhe përkthyese për gjuhët: Shqip, Anglisht dhe Italisht. Merret me përkthimin e artikujve dhe librave nga italishtja në shqip dhe anasjelltas, dhe ka botuar në Shqipëri dhe Itali artikuj të tematikave të ndryshme. Në fushën e teatrit ka bashkëpunuar me shoqërinë teatrale “Teatri di Vita” të qytetit të Bolonjës.
Vjen së fundmi me librin e saj të ri me poezi që titullohet “The Shape of You” i sapobouar në Itali në gjuhën italiane. Ky liberth është një përmbledhje e vogël poezish që kanë të bëjnë me dashurinë, iluzionin, përkushtimin, zhgënjimin, tradhtinë, vuajtjen , partnerin e jetes dhe çiftin, keqkuptimet, pakënaqësinë, tragjedinë, lindja dhe vdekja, karma dhe ate kryqin i tmerrshëm e te fiksuar që secili prej nesh e mbart për gjithë jetën. Poezia e autores është prosaike ose prozë poetike, e kultivuar në vargje të qarta, për të treguar peripeci dhe situata sa aktuale aq edhe fatale për autoren, në një udhetim egzistencial të vështirë e me sfida, që sjellin si rezultat gjurmën e vetvetes që autoria e shkallezon në fjalë që japin lehtësim intim.
Po sjellim për lexuesin disa nga poezitë e librit të përkthyera ne gjuhën shqipe.

Banor i kohës

N’fund të kohës kemi me qenë veç pluhun,
dhe galaksitë kanë me i ushqy’ kujtimet prej nesh,
duke përshëndetë çdo grimcë tonën yjore,
në nderim të nji epoke t’pavdekshme.
Dhe prapë, si përherë,
do t’jetë sikur t’mos kishim ekzistu’ kurrë,
t’përjetsuem nga ligji i Njishit
tu jetu’ n’kujtime tjera,
në nji shumësi dimensionesh që kurrë s’i kemi përjetu’
tu pësu tingullin e kohës dhe t’muzgut,
prapë, mund të jemi si përherë,
t’vetmit banorë të kohës … si nji demiurg yjor.

I tejdukshëm asht thelbi

Ke pasë fatin për me qëndru n’kët botë,
dhe asht shumë serioze mënyra si i jepesh jetës,
tu kthy’ fjalë, o tu nxjerrë prej fundit,
t’ndërgjegjes tande që s’asht ma e qetë.
Asht e ditun që diskutimi asht i lodhshëm e shterpë.
ndërkohë që vrojtimi i nji mbretnie ma t’mirë shpesh prin,
kujt i trembet dielli kur shkëlqen dhe përpëlitet?
Dhe çfarë asht që dielli don, kur era e përhap qetësisht?
Nëse ylli mysafir i gjymtyrëve tona do t’ish e çdo qelizë
mbi fizikun e shpeshtë nji parajsë e re që lind,
ç’kuptim kemi me i dhanë kohës sonë që përzgjatet?
Ndoshta nji hapësinë me kapsulë t’zbrazët,
me litarët e kohës t’ankoruem, t’shtrimë dhe t’përdredhun,
ndoshta thelbi i ftohtë dhe i tejdukshëm i mendjes sonë.
Perspektiva ma ban t’arsyeshme kët’ tokë qiellore
e, përgjat cikleve t’modifikimeve t’thella
identifikimi im si nji kozmonaut në tokë
m’ban pjesë t’konfiguracioneve t’reja.

E papërshkrueshme

Asht kaq e rrallë që kam mund’ me të gjetë ty,
n’mes duhmës së ekzistencës sime t’ngrohtë dhe t’paqëndrueshme,
në nji të kryeme të tejshkueme përvëluese,
tu i shprehë gjanat ndërkohë që lufton kundër kufijve,
secilit prej atyne që i ekspozon në diell, lakuriq dhe kalimtarë.

Asht kaq e veçantë që kam mund’ me t’taku ty,
tu ngritë dallgë, tu shkatërru’ bregun me forcë e me djersë,
në nji të tashme që duhet rregullu’,
me shpirtin e tejmbushun duke shpërnda urrejtje dhe dashni,
në nji kohë t’papërcaktueme, ndërkohë që përballesh me diçka t’naltë.

Asht kaq e pazakontë që kam mund’ me t’zhvarrosun ty,
e ndalun dhe e habitun, eklektikisht pranë meje,
në nji rizbulim t’ndrojtun i gjithi për me u kuptu,
ndërkohë ajo gjaja e naltë të merrte në gji t’saj,
duke u ba forcë e natyrës në nji përjetësi t’madhnishme.

Asht kaq e çuditshme që s’kam mund’ me pasë qasje n’ty,
që kërkon vërtet me u ba, çka intimisht je,
në nji t’ardhme që duhemi me e ba sërish,
në diçka t’naltë që të tjerët i tejkalon,
si psikostazë e shumëfishtë për atë që ecë solemnisht.

Apo(e)teoza e nji dite

Vjen nji ditë e lartësohesh fatale,
dhe palat e mendimeve t’tërheqin,
për mos me t’lanë qetësi n’vetminë tande t’zhurmshme,
tu intonu’ frekuenca t’ndryshme n’mënyrë supersticioze.

Tu thithë energjitë e botës që ishte dhe nuk asht ma,
dhe tu e ndjekë veten nëpër rrugët e braktisuna t’qytetit tim,
nji ditë kam me e fundosë n’asgja jetën time t’improvizueme,
tu të sjellë ngadalë nji mllef mashtrues.

Asgjaja dhe gjithçkaja kanë me më folë për lot nji ditë,
tu e pranu’ dhe mohu’ si zakonisht t’kundërtën e përsosun,
e dashunueme n’pasqyrën time t’magjepsun do t’i kërkoj që të flasë për mue,
duke e çliru’ mllefin tand n’fluturimet e mia pindarike.

Si shaman i shpirtit n’trupin tand t’panjohun,
dhe gjithmonë pranë për tu zhytë nji ditë e zhveshun prej energjive,
në relievin e gjoksit tand të drejtë e të paprekun,
kam me mbështetë padepërtueshëm dashninë time të fshehtë.

Duhet me të dashtë sërish nji ditë,
dhe a e di, duhet delikatisht me mësu’ me të dashtë sërish,
me të tregu’ me shikime naive dhe t’qeshuna përvëluese,
ndjenjat e reja që i ndeshim rastësisht.

Tu peshku pyetësorët e moshës sime t’ambël,
e nëse ti kishe me pasë, kishe me mund’, me qenë edhe ti nji Parsifal i ri,
n’kërkim t’sendeve pa vlerë dhe të kupës sime t’shenjtë,
atëherë po, kisha me pasë, kisha me mund’, kisha me qenë… nji ditë.

Përshtati në gegnisht Orjela Apolloni 

Librin mund ta gjeni ne Amazon.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.