Handke dhe kriteret problematike të Komitetit të Cmimit Nobel – Muhamedin Kullashi

0
51

“Karshi kritikave të shumta, që erdhën nga vende të ndryshme, drejtuar Akademisë suedeze , kjo u arsyetua se çmimin e ka ndarë duke patur parasyshë vlerat letrare e artistike të veprave të Handkes. Zëdhënsi i Akademisë suedeze,Mats Malm, theksoi se ky çmim jipet duke marr parasysh « meritat letrare dhe artistike » dhe se « mandati i Akademisë nuk u lejon të masin cilësitë letrare sipas konsideratave politike ». Mirëpo, problemi është se Handke zhvilloi, gjatë shumë viteve një angazhim politik të veçantë : angazhim në relativizimin, banalizimin dhe mohimin e krimeve ekstreme të regjimit të Milosevicit në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Pra nuk është fjala për çfarëdo aktiviteti politik, për shijet e tij politike të majta ose të djathta të autorit. Ndarja midis meritave letrare dhe artistike të veprës së Handkes dhe angazhimit të tij politik shumvjeçar, me një operacion kirurgjik, ndarja midis vlerave letrare dhe atyre « politike » është problematik. Së paku për dy arsye. Së pari të kujtojmë se nocioni burimor i politikës, qoftë te mendimtarët e mëdhenj të antikitetit grek, te disa të tjerë të modernitetit dhe bashkëkohëisë, ka të bëjë me « një art, më i vështiri, për të krijuar kushtet e të jetuarit e mirë së bashku » brenda një shoqërie. Më pastaj, te kjo pikëpamje mbi politikën, vërehet lidhja e ngusht midis politikës dhe etikës në vlerësimin e regjimeve të ndryshme politike brenda të cilëve jetojnë pjestarët e një shoqërie. Nuk është, pra, fjala për qëndrime moralizuese ndaj veprimeve politike të një aktori apo të një partie : etika zhvillon refleksione të cilat persiasin për kriteret dhe kushtet e të jetuarit e mirë së bashku në një shoqëri.
Së këndejmi, problemi me angazhimin politik të Handkes është se ai ka mbështetur me ngulm një regjim politik i cili u shqua për krime masive e ekstreme mbi popullësitë civile. Disa nga këto krime u cilësuan si « krime kundër njerëzimit » kurse ai i Srebrenicës si « gjenocid », edhe me vendimin e një Tribunali. Tani, shtrohet pyetja se a mund të bëhet një ndarje, siç e bëri Akademia suedeze, midis vlerave letrare e artistike të një autori dhe angazhimit të tij shumëvjeçar, edhe me tekste e shkrime, për mbështetjen e regjimit të Milosevicit, i cili praktikoi krimet ekstreme mbi civilët ? Është fjala për praktika që kanë shkatërruar vlerat themelore të njerëzimit dhe njerëzores. Mu për këtë, Komiteti i çmimit Nobel mban përgjegjësinë për shpërfilljen e implikimeve etike që ka përzgjedhja e këtij autori. Si mund të afirmohen në mënyrë të mirëfilltë vlerat letrare dhe aritistike nëse autori i shpërblyer është dalluar, para opinionit ndërkombëtar me mbështetjen e një regjimi dhe protagonistit kryesor të tij, Milosevicit, si autor i krimeve masive ? Pra, të aksioneve, të cilat u dënuan nga shumë instanca si shkatërrimtare për vet mundësinë e krijimit të kushteve për të jetuarit së bashku të njerëzve në një shoqëri. Kjo shpërfillje doemos merr karakterin e një qëndrimi cinik ndaj shkeljeve drastike të drejtave të njeriut dhe krimeve masive mbi civilët.
Shtrohet, në mënyrë të paevitueshme, pyetja si munden kriteret mbi « vlerat letrae e artistike » të jenë kaq të mirëkuptueshme për mbështetjen e njê shkrimtari të krimeve ekstreme, më të rëndat pas Luftës së dytë botërore ? Cfarë ndikimi do të ketë kjo përzgjedhje në kultivimin e vlerave artistike e njerzore ? Fundja, Alfred Nobeli në testamentin e tij kishte saktësuar se çmimi do të ketë parasyshë « një veprër letrare e cila ka dëshmuar një ideal të fuqishëm ». Handke nuk ka nguruar, gjatë viteve ti afishoj publikisht qëndrimet e veta në mbështetjen e regjimit të Milosevicit. Veç tjerash libri i tij « Udhëtimi dimëror kah Danubi, Sava, Morava dhe Drina » u pat kritikuar për kultivimin e justifikimit dhe banalizimit të krimeve më të rënda në Ballkan.Nê anên tjetër, Akademia suedeze ka vepruar ashtu thuajse nuk pati shkrimtar tjerê me talent, por qê nuk e ka ngarkesên e turpshme të Handkes.

Olivier Py : « Nobeli i çnderimit »

Dramaturgu dhe regjisori i teatrit Olivier Py e quajti « Nobeli i çnderimit » vendimin e Akademisë suedeze që Handke të nderohet me çmimin Nobel. Të përkujtojë se Olivier Py, në vitin 1998 vuri në skenën e teatrit « Les Amandiers », afër Parisit, shfaqjen « Rekuiemi për Srebrenicën ». Në maj të vitit 1998, ai më ftoi ta shikojë shfaqjen dhe pas shfaqjes të flasë para publikut, për ngjashmërinë e situatave në Kosovë dhe Bosnje.
Në mars të vitit 2006, Drejtori i teatrit prestigjioz « La Comédie française », Marcel Bozonet mori vendimin ta heqë nga programi i këtij teatri një shfaqje të Handkes, pas u bë publike se ky kishte marr pjesë në ceremoninë e varrimit të Milosevicit. Disa e kritikuan vendimin e Bozonesë, si akt i cenzurës : ai shpjegoi se vendimi spontan që kishte marr doli nga pamundësia që ta nderoi një autor pasi ky e nderoi Milosevicin. Olivier Py e mbështeti asokohe vendimin e Drejtorit të « La Comédie française »” – Muhamedin Kullashi/fb

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.