Përmes leximit në dialekte, ta njohim djepin e gjuhës sonë shqipe

0
65

Nga Mr. Mark Lucgjonaj

Secila gjuhë e ka djepin e vet ku lind, rritet dhe zhvillohet. Ashtu siç është, me të gjithë tingujt që përmban brenda, me të gjithë togfjalëshat, metaforat, toponimet, për folësit e vet ajo është gjuha më e bukur në botë.

Edhe nëse flitet nga një grup i vogël njerëzish, ajo përsëri ka brenda të gjitha rregullat sintaksore dhe morfologjike. Gjuha shqipe është gjuhë me dy dialekte e shumë të folme. Dialektet janë pasuri që gjuhës shqipe ia dëshmojnë, jo si fosile por akoma si përditshmëri, lashtësinë e saj shekullore.  

Në të dy zonat  ku fliten e shkruhen këto dy dialekte, kultura e të shkruarit libra shqip edhe në të shkuarën edhe në ditët e sotme ka pas dhe ka shkrimtarë të cilët botojnë në dialektet e të folmet e veta. Kjo, nuk do të duhej të përbënte problem për lexuesit sepse pikërisht duke lexuar në dialekte e të folme të ndryshme, ne mund ta njohim djepin e kulturës dhe gjuhës sonë.

Gjuha është e gjallë sa rron në gojën e folësve, prandaj edhe pëson ndryshime. Varësisht se çfarë mendësie kane folësit, çfarë rëndësie i japin gjuhës, me sa fanatizëm e ruajnë atë ose varësisht se sa e kane vetëdijen e të qenit krenarë për gjuhën që flasin, atë dimension i japin edhe gjuhës.

Gjatë promovimeve e kontakteve të ndryshme, gjatë takimit me lexues kam hasur në këtë konstatim: CITOJ: do ta lexoja x-y shkrimtarin mirëpo kam pengesë të madhe me gjuhën dialektore të cilën ai përdorë në librat e tij.

Ky është një gabim i madh që po e bëjmë nëpër shkollat tona, ku nxënësit përballën me standardin, pa njohur të folmen e tyre, pa njohur mirë dialektet dhe kjo pastaj shfaqet si problem në vazhdim.

 Kjo vërehet më së miri nga fakti se nuk e kemi fare problem te lexojmë ne anglisht, italisht, spanjisht, turqisht apo në shumë gjuhë të tjera.

Mendoj se këtu duhet te fillojmë ne si komb, si shqiptare, si njerëz që kemi kulturë të lashtë, pra duhet të fillojmë e ta njohim vetveten, të lexojmë paralelisht në dialekte në shkollat tona në mënyrë që ta kuptojmë në esencë djepin e gjuhës sonë të lashtë.

Prandaj e gjithë vëmendja institucionale duhet kthyer plotësisht drejt vetvetes, drejt trungut tonë. Ta njohim veten sepse nga aty do të fillojmë të rilindim.

Këtë fare mirë mund ta mësojmë nga te huajt qe kane prosperuar pikërisht kështu, duke njohur vetveten dhe duke e ruajtur gjuhen dhe kulturën e vet me fanatizëm. Kjo është edhe rruga e drejtë e integrimit në politikat e Bashkimit Evropian.

Ne si studiues, lëvruesit e gjuhës shqipe, akademitë e dy shteteve shqiptare duhet të ndalojmë këtë “luftë” mes dy dialekteve. Nuk ka logjikë që të lejojmë vdekjen e njërit prej dialekteve; nuk duhet të lejojmë vrasjen e njërit prej dy vëllezërve sepse nuk ka asnjë arsye. Është përgjegjësi e madhe për të gjithë popullin shqiptarë, sidomos për ne që jemi jashtë këtyre dy kufijve administrativ.

Të bërit letërsi në gjuhën tonë amtare shqipe, për ne që jetojmë jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë është sa e bukur aq edhe sfiduese, por mbi te gjitha është e domosdoshme. Sot, në panairet kudo që flitet shqip, marrin pjesë botime nga të gjitha anët ku flitet dhe shkruhet gjuha shqipe.

Të shpresojmë se një dite, e që mos te behet vonë, që edhe institucionalisht t’i qasemi me seriozitet gjuhës, kulturës, historisë sonë te lashte sepse ne i kemi, nuk kemi nevoje t’i shpikim e as t’i përvetësojmë nga dikush tjetër. Pavarësisht se mund të na duket se kemi shumë shkrimtar, pavarësisht se nëpër panaire mund të na krijohet përshtypja se botojmë shume libra (kjo falë edhe punës së palodhur që bëjnë përkthyesit tonë), me përgjegjësinë më të madhe e them se ne kemi nevojë që shumë më shumë të lexojmë, e mbi të gjitha kemi nevojë shumë të madhe ta njohim veten dhe të bindemi se edhe ne kemi vlera si popujt e tjerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.