Kemi nevojë… – nga Mark Lucgjonaj

0
327

Shqiptarët në Mal të Zi, nga viti në vit kanë emigruar kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të Evropës e deri në Australinë e largët. Kjo ka bërë që numri i popullsisë në këto vende të zvogëlohet nga viti në vit çka ka ndikuar dukshëm në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, jetën e tyre politike, gjegjësisht në përfaqësimin e tyre në parlament dhe në aparatin e lartë shtetëror.
Nga ky stad, shqiptarët, në përgjithësi, kudo që kanë jetuar nëpër të gjitha shtetet e Gadishullit Ilirik janë shkolluar jashtë ngase okupimi Osman, më pas, Lufta ballkanike, Lufta e parë dhe e Dytë botërore, e më pas edhe pse komunizmi ka qenë një vetëpushtim, gjatë kësaj periudhe por edhe asaj të mbretit Zog, shqiptarët krijuan shkollat e veta të mirëfillta, dhe filluan të arsimohen.
Gjithashtu edhe Kosova me një mijë peripeci u bë me Universitet, ku ky organ i shenjtë bëri që Kosova të krijonte elitën e saj kulturore, politike, artistike, kombëtare e mbi të gjitha ndikonte drejtpërdrejtë në formimin kulturor e emancipues të popullsisë së vet e më gjerë.
Po shqiptarët e Malit të Zi? Ata mbetën një ishull pa “ujë të pijshëm”, pa një burim të mirëfilltë. Kjo bëri që shkollimi i tyre të vazhdonte në Prishtinë, Gjakovë, Pejë e gjetiu nëpër qytetet e Kosovës. Por jo të gjithë e patën fatin dhe mundësinë që të shkolloheshin.
Plava dhe Gucia me Rozhajë, kryesisht u shkolluan dhe ngelen në Kosovë. Gjithashtu edhe shumë familje nga Ulqini, Tivari e Malësia u shkolluan e ngelen atje. Plava dhe Gucia pothuajse u boshatisen nga emigrimi, gjithashtu edhe Tivari, u shkri nga asimilimi dhe u shkapërderdh nga emigrimi. Por, ana pozitive qëndron në atë se në Malësi, u shkolluan në masë, meshkuj e femra dhe të shkolluarit e parë dhanë mësim në gjuhën shqipe, hapën shoqëritë kulturo artistike shqiptare, filluan të shkruajnë libra, të mbledhin folklorin dhe të rigjenerojnë palcën e kombit e cila ishte dëmtuar rëndë shekuj me radhë.
Por, emigrimi nuk ndaloi, e nuk ka ndalur as në ditet e sotme, me gjithë se numri i atyre që largohen është shumë më i vogël në krahasim me dekadat e më parshme. Kjo, falë ndërhyrjes së atyre që emigruan jashtë, të malësorëve që sakrifikuan jeten e vet duke emigruar e që më pas, gjithë djersen e mundin e vet, e derdhen në vendlindje, për të ringritur ekonominë e familjareve të tyre, të bashkëkombësve të tyre e duke u përcjellur një lutje të madhe: MOS IKNI NGA MALËSIA se na keni Ne!
Atje krijuan shoqata humanitare, bamirëse, ku ndihmuan me qindra student në vendlindje; individ që po formoheshin për ta marrë fatin e kombit të tyre në duar. Ata investuan në ura, në shtëpi shëndeti, në mjete mësimore, në shkolla, në kisha e xhami e kudo u shfaq nevoja. Ata e mbajtën premtimin e tyre dhe po vazhdojnë të punojnë për atë premtim të madh, për atë mision të shenjtë që i vunë vetes ditën që vendosen të largohen me lotësh, mallit, dhimbjes dhe mallëngjimit. Por, edhe brezat e rinj që u shkolluan në Amerikë filluan të ngjesin shkallët e karierës politike duke depertuar deri në Shtëpi të Bardhë, nëpër komuna të ndryshme ku jetojnë e veprojnë ata.
Këta njerëz që u arsimuan, bashkë me këta që emigruan, formuan brezin e dytë, të tretë e kështu me radhë të të shkolluarve. Vetëdija kombetare u ngrit dhe bashkë me të edhe vetëdija politike. Kërkesa për një vetëqeverisje lokale për Malësinë me Tuzin si qendër u realizua, dhe pikërisht, realizuan ëndrren e brezit të pare.
Sot, administrata e vetëqeverisjes së Tuzit, të gjithë dokumentacionin e ka në gjuhën shqipe, çka vetëm një vit më parë ishte e pamundur të imagjinohej.
Ndërsa në Malësi, sot kemi disa shoqata kulturo artistike aktive, kemi piktor të shquar që kanë bërë emër në rajon dhe botë, kemi disa shkrimtarë që kanë krijuar dhe po krijojnë, por problematika ku duhet vënë theksin është se lexues kemi pak.
Ky shkrim është një apel për mësuesit, për të gjithë ata mësimdhënës e intelektual që jetojnë e veprojnë në Malësi. Duhet të gjithë të fillojmë me vrull, të stimulojmë leximin te brezi i mesem dhe te brezat e ri sidomos, sepse kemi humbur mjaft kohë në raport me popujt e tier fqinj të Evropës. Në këtë gjë kanë ndikuar edhe të gjitha ato arsye që i numëruam më lartë, sidomos ishullzimi i shqiptarëve të Malit të Zi. Kultura jonë ka nevojë për një frymë të re qytetare, ka nevojë të ndjek hapat e kulturës sonë kombëtare, të ndjek Prishtinën, Shkupin, Tiranën e Tetovën. Pa lexues, pa libër, pa një mendje të ndriçuar nga libri, e ardhmja kulturore jona do të deformohet e do të margjinalizohet akoma më shumë.
Individ të caktuar, shkrimtarë e përkthyes, poet e publicist po përpiqen e janë përpjekur që të punojnë në këtë gjë, por duhet ndihma e të gjithëve, të gjithë atyre që e kuptojnë zërin e brendshëm të kombit, e malësorët për këtë janë të njohur. Duhet një bashkëveprim për një rilindje për të disatën here, por kjo rilindje është definitivja sepse me të edukojmë nënat, baballarët e ardhshëm, e kjo bën që fëmijët e ardhshëm të jetojnë në një ambient në nivel akoma më të ngritur kulturor. Ne si popull, nuk kemi fjetur asnjëherë, prandaj tash është koha që as mos të përgjumemi, por të punojmë fort.
Librin në dorë, dhe të lexojmë, të shndrisim ato hapësirat e errëta që nëpër shekuj na janë errësuar e ndryshkur, e akoma më keq, na i kanë mbushur me infomata fallco. Ne jemi kombi i Buzukut, i Budit, Naimit, Konicës, Nolit e Gramenos, i Fishtës, i Gurakuqit, Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Ismail Kdaresë, Azem Shkrelit e shumë e shumë figurave të tjera, pra kemi një trung të forte. Rrënjët tona janë në Ilirinë e lashtë, te Genci e Teuta, Bardhyli e Batoni. Nuk e kemi vështirë, por vetëm duhet të punojmë shumë, e mbi të gjitha, të vazhdojmë të jemi unik, ne këtu, diaspora jonë, priftërinjtë e hoxhallarët, të gjitha ata që ujit i thonë ujë e bukës bukë.
Për këtë, duhet një bashkëveprim, një strategji, për të stimuluar kulturën, për të të ngritur teatrin, muzikën klasike, baletin, kinemanë, kritikën letrare e shumë pore të tjera të kulturës e sporteve të cilat janë më pak të përfaqësuara tek ne. Fëmijët tone që po rritën kanë nevojë të zhvillohen me këto aktivitete, të frymojnë si bota tjetër e qytetëruar sepse kemi pas dhe kemi shumë talente.
E kuptoj se jemi province, por duhet ta dimë gjithashtu se jemi edhe ishull, jemi një popull që në Mal të Zi çdo gjë e ka bërë vetë, (pra malësoret brenda dhe jashtë Malësisë). Andaj, siç nuk jemi mësuar me ndihma e me përkrahje edhe nga ata që e kanë për obligim të na ndihmojnë e përkrahim, kjo trevë e vogël për nga territori por e madhe nga mentaliteti dhe shpirti kombëtar, i ka dhënë disa here leksione kombit tjetër se si duhen bërë gjërat, se si respektohet vetvetja e mund të them me plot gojë se u ka mësuar edhe se ç ‘është qytetërimi. Kështu, kjo trevë i ka paraprirë pavarësisë së shtetit shqiptar, ka dekada që ka lidhur Besën për të ndaluar hakmarrjen; kjo trevë ka lidhur Besën për të ndalur përdorimin e armëve në festa e ahengje; kjo trevë ka bërë bashkimin e spektrit politik shqiptar në një koalicion duke administruar vetëqeverisjen lokale në Tuz, në kohën kurë në mbarë rajonin e gjithë politika shqiptare ishte dhe vazhdon të jetë një mishmash i madh.
Prandaj, ky është misioni ynë i radhës, ftesa për të gjithë intelektualët. Sytë te libri, te kultura dhe te leximi; të ruajmë gjuhën e kulturën, ti perfeksionojmë ato sepse vetëm kështu ruhet, kultivohet e pasurohet kombi ynë paqedashës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.